A jo tashmë ka një vend të posaçëm në programin “X Factor”. E tregoi këtë qysh me prezencën e saj si e ftuar në panelin e jurisë, më tej në të ftuarën e parë në spektakël në “live show”, e javës që lamë pas si mbështetëse e Kristos, në një duet fantastik që interpretoi. Me një look të mrekullueshëm, tashmë një bionde e vërtetë, e veshur me një fustan të kuq, ajo ka vezulluar mes personazheve të tjerë të ftuar në gjysmëfinale.

“Për sa i përket veshjes dua të përshëndes Niko Komanin, stilistin, bashkëpunëtorin tim, i cili kohët e fundit kujdeset për veshjet dhe daljet e mia dhe në këtë rast ishte edhe mbështetje e madhe. Ndërsa për performancën komplimentet e mia i shkojnë edhe Ktistos, pasi për mua ka qenë një përgjegjësi shumë e madhe të mbështesja Kriston, aq më tepër që ai i është afruar fitores.

Unë zakonisht përpiqem ta ruaj modestinë, por e kam parë punën e palodhur të tij gjatë këtyre ditëve që u njohëm më shumë, kam parë disiplinën që ai ka në punë dhe përpos kritereve të tjera që i përmbush si artist dhe i ka vërtetuar tashmë përpara publikut tonë, mendoj që i përmbush të gjitha kushtet për të qenë një paketë e plotë dhe për të qenë një super yll”, – ka treguar për ne Tuna pas performancës me konkurrentin finalist Kristo Thana.

Ndërkaq, pa u zbuluar shumë detaje për albumin e ri, Tuna u shpreh se “jam duke punuar për klipin e ri dhe albumin e ri, të cilën pa dalë nisin ta gjykojnë. Kjo ndodh me gjithë këngët e mia. Por, në fakt, kemi bërë një punë të mirë dhe do të dalë një klip dhe album shumë i mirë.

Mendoj që gjatë gjithë këtij albumi kam punuar në një qetësi absolute, sepse nuk i dua gjërat e pompuara para kohe, pasi nuk i dua gjërat kështu. Albumi do ta bëjë punën e vet dhe ai do të flasë më mirë për Tunën. Dhe do ta heqë atë pluhurin që ngrihet gjithmonë për çdo gjë para se ta prezantoj”!  Koha Jone