Messi, mbret në Camp Nou
Sulmuesi i Barcelonës, Lionel Messi e ka shkruar emrin e tij në librin e rekordeve sërish. Sulmuesi argjentinas është bërë futbollisti i parë në histori të La Ligas që shënon 28 gola në ndeshjet e zhvilluara në shtëpi, në një sezon të vetëm.

Lionel Messi është treguar mbret në Camp Nou këtë sezon. Sulmuesi argjentinas ka realizuar 28 gola në këtë stadium, duke e thyer rekordin e golave të shënuara në shtëpi për një sezon në La Liga. Ylli i Barcelonës ka shënuar 39 gola këtë edicion në kampionatin spanjoll dhe është vetëm një larg rekordit të regjistruar nga Cristiano Ronaldo sezonin që shkoi.
Sulmuesi i Barcelonës, Lionel Messi e ka shkruar emrin e tij në librin e rekordeve sërish. Sulmuesi argjentinas është bërë futbollisti i parë në histori të La Ligas që shënon 28 gola në ndeshjet e zhvilluara në shtëpi, në një sezon të vetëm.
Futbollisti më i mirë në botë realizoi njërin nga katër golat e katalunasve në fitoren 4:0 ndaj Getafes, në ndeshjen e zhvilluar në Camp Nou të martën mbrëma.
Rekordi në të kaluarën mbahej nga ish sulmuesi i Athletic Bilbaos, Telmo Zarra dhe nga ish futbollisti i Atletico Madridit, Baltazar, të cilët së bashku kishin realizuar nga 27 gola në ndeshjet në shtëpi në sezonet 1950-51, respektivisht 1988-89.
Sulmuesi i Real Madridit, Cristiano Ronaldo, i cili sezonin e kaluar e fitoi çmimin ‘Pichichi’ për rekord prej 40 golash për një sezon, kishte realizuar 26 herë në stadiumin Santiago Bernabeu në sezonin 2010-11.
Messi ka shënuar në të gjitha ndeshjet, përpos në dy prej tyre këtë sezon, kur ka luajtur në shtëpinë e Barçës – Camp Nou. Përfaqësuesi argjentinas ishte i paaftë ta gjente golin në barazimin me Sevillën dhe në fitoren 3:1 ndaj Sporting Gijonit.
24 vjeçari ka realizuar 39 gola në 31 ndeshje këtë edicion në La Liga, ndërsa ka nevojë vetëm për një gol tjetër për ta arritur rekordin e Ronaldos, prej 40 golash në sezon në kampionatin spanjoll të futbollit.
Dhe, duke u bazuar në rrjedhën e sezonit, nuk është habi që Messi ta kalojë rekordin e yllit portugez, duke e regjistruar një tjetër rekord në futbollin spanjoll.





